11
JUL
2013

Ç’DO TË THOTË AGJËRIM?

Kuran

Agjërim do të thotë të largohesh nga ngrënia, pirja, kryerja e marrëdhënieve intime me qëllimin e adhurimit që nga agimi deri në perëndimin e diellit.

Agjëruesi duhet të jetë mysliman, në moshë madhore, i shëndoshë mendërisht dhe fizikisht, nuk duhet të jetë i sëmurë apo udhëtar. Ata që nuk mund të agjërojnë nga mungesa e fuqisë, ata që janë udhëtarë apo të sëmurë nuk e kanë detyrim agjërimin. Por nëse munden, agjërimi i mbajtur i vlerësohet.

Pa tjetër që qëndrimi pa ngrënë, pa pirë dhe larg marrëdhënieve intime, duhet të ketë një qëllim të caktuar dhe këto veprime duhen bërë në mënyrë të ndërgjegjshme. Ky qëllim dhe ndërgjegjshm

ëri është agjërimi për kënaqësi të të Madhit Zot dhe shkurtimisht shprehet me fjalën “nijet”. Kjo do të thotë që nëse agjërimi bëhet me qëllime të tjera si regjim,  dietë apo për të qenë në formë, personi nuk përfiton asnjë shpërblim shpirtëror.

Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit, gjë të cilën Profeti paqja qoftë mbi të e shpreh kështu: Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Të dëshmosh që nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe që Muhamedi paqja qoftë mbi të është i dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin (lëmoshën), të agjërosh muajin e Ramazanit dhe të bësh haxhin nëse ke mundësi. (Buhari, Iman, 34, 40; Ilm, 25; Muslim, Iman, 8)

Agjërimi radhitet ndër adhurimet që i përket më tepër shpërblim, për shkak se shejtani e ka tepër të vështirë të ndërhyjë tek ai. Allahu i Lartmadhëruar shprehet kështu në një hadith kudsi: “Agjërimi është për Mua dhe shpërblimin e tij e jap vetëm Unë”. (Buhari, Saum, 2, 9; Muslim, Sijam, 30)

Veprimet e tepruara, të cilat sjellin shqetësime në shoqëri, në shumicën e rasteve burojnë nga kënaqësitë materiale që ushqejnë anën kafshërore të njeriut. Kur thuhet kënaqësi materiale, gjërat e para që të vijnë ndër mend janë ushqimi dhe marrëdhëniet intime. Pikërisht agjërimi, është një ilaç për të qetësuar në periudha të ndryshme këtë anë të njeriut, e cila, nëse ushqehet vazhdimisht, sjell shumë dëme.

Agjërimi të ndhmon të kuptosh gjendjen e të varfërve dhe gjithashtu është një nxitës për t’u munduar t’i ndihmojmë njerëzit nevojtarë.

Një veçori tjetër e agjërimit është lidhja e drejtë për drejtë që ka me durimin, për të cilën i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të na rrëfen që agjërimi është gjysma e durimit (Tirmidhî, Da`auât, 86). Kurse në lidhje me durimin Allahu i Lartë thotë kështu: “Kërkoni ndihmë me namaz dhe durim” (Bekara 2/153), ose “Durimtarëve i jepet shpërblimi pa asnjë mangësi” (Zumer 39/10).

Të gjitha këtyre pikave i bashkangjiten edhe dobitë shëndetësore që agjërimi i sjell njeriut dhe kjo çështje aprovohet edhe nga mjekët. Më e pakta, mund të themi që agjërimi shërben si një pushim i mekanizmit të trupit tonë, i cili punon pa reshtur gjatë gjithë vitit.

Leave a Reply

*

captcha *